Ëndërroja retë me ngjyra
Edisoni, si gjeniu i llampës
“Edison, më quajtën Edison, si njeriu që shpiku llampën elektrike”. Me këto fjalë, Edison Duraj, një fëmijë 9-vjeçar, i arratisur me gomone nga Shqipëria, fillon të tregojë historinë e udhëtimit të tij të shpresës, në spektaklin “Këpucë”.
Merkure, 06 Gusht 2008 09:18:00Prezantohet në Festivalin e Filmit në Lokarno dokumentari “Ëndërroja retë me ngjyra”. Është jeta e një 9-vjeçari nga Shqipëria që emigroi i vetëm në Itali“Edison, më quajtën Edison, si njeriu që shpiku llampën elektrike”. Me këto fjalë, Edison Duraj, një fëmijë 9-vjeçar, i arratisur me gomone nga Shqipëria, fillon të tregojë historinë e udhëtimit të tij të shpresës, në spektaklin “Këpucë”. Që atëherë kanë kaluar 9 vjet. Janë realizuar disa variante të këtij tregimi, derisa u bë dokumentar që do të shfaqet në Zvicër. “Sognavo le nuvole colorate”, filmi dokumentar i regjisorit italian Mario Balsamo, me producent Thomas Torelli, është seleksionuar në seksionin “Ici & Ailleurs” në edicionin e 61-të të Festivalit të Filmit në Lokarno, 2008. Filmi i cili pak ditë më parë u prezantua edhe në Trani Film Festival, tregon 9 vitet e jetës së djaloshit shqiptar në Itali. Kthimi në Shqipëri gjatë Krishtlindjeve vitin që shkoi, qendrat e përkohshme të pritjes, shkollat, shtëpia e Alessandros, mikut të tij kineast, shtëpia në Fier dhe vendet ku kaloi vitet e para të fëminisë. Mes personazhit dhe personit Edison, nuk ka distancë dhe kjo krijon një qark të mbyllur mes krijimit dhe realitetit, mes jetës dhe prezantimit të saj.Filmi është xhiruar në Salento dhe një pjesë në Shqipëri, në vendlindjen e protagonistit, Edison Duraj. Muzika mban firmën e mjeshtërve Francesco Libetta e Alessandro Santoro.
Dokumentari e ka zanafillën tek një projekt social që e përdori teatrin si instrumentin që ndihmoi Edisonin të ndërtojë një histori dhe një identitet. Në të vërtetë, në krahë të punës së institucioneve, duke filluar që nga Gjykata e të miturve në Leçe dhe nga qendrat që mikpritën djalin, një ndihmë të madhe për të ka qenë laboratori teatral pranë një shkolle të mesme dhe spektakli “Këpucë. Një palë këpucë të reja për të kaluar kanalin e Otrantos” (“Këpucë. Un paio di scarpe nuove per attraversare il Canale d’Otranto”) pranë Universiteteit të Leçes.
Edisoni lindi në Zhupan, në një fshat të Fierit. U gjend në një plazh të Salentos, kur ishte vetëm 9 vjeç, por rilindi në skenë, në teatër. Jeta e shqiptarit, do të prezantohet në Lokarno, por jo vetëm. Së shpejti do të botohet edhe ditari i tij.
Dokumentari “Ëndërroja retë me ngjyra”, tregon se kinemaja dhe teatri mund të bashkëpunojnë dhe ngrenë pyetje të rëndësishme. Mjafton toleranca zero për të përballuar problemin e emigracionit? Nëse arrihet në përfundimin se e vetmja zgjidhje realiste është integrimi, a është e mjaftueshme kur bëhet fjalë për fëmijët? Mjafton t’u ofrosh vetëm një vend për të fjetur dhe për të ngrënë? Historia e Edisonit është më së shumti një rast për të reflektuar mbi ata që duan një palë këpucë të reja dhe retë me ngjyra.